LAJMI I FUNDIT:

Diskualifikimi i kompanive nga prokurimi publik, në mes të vakumit ligjor dhe zvarritjes në marrje të vendimit

Diskualifikimi i kompanive nga prokurimi publik, në mes të vakumit ligjor dhe zvarritjes në marrje të vendimit

Qindra miliona euro në Kosovë, kontraktohen nëpërmjet prokurimit publik. Fusha e prokurimit rregullohet me Ligjin për Prokurimin Publik i miratuar nga Kuvendi e Republikës dhe hyri në fuqi në muajin tetor të vitit 2011.

Ligji për qëllim ka të siguroj mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, burimeve publike si dhe të gjitha fondeve dhe burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese në Kosovë duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen, procedurat që do të ndiqen, të drejtat që do të respektohen dhe detyrimet që do të përmbushen nga të gjithë që interesohen apo marrin pjesë në aktivitetet e prokurimit.

Ky Ligj që përbëhet prej dymbëdhjetë pjesëve me gjithsej 135 Nene, disa herë u plotësua e ndryshua.


Në prokurimin publik, Organi Shqyrtues i Prokurimit [OShP] luan një rol të rëndësishëm që procesi i prokurimit të jetë i drejtë, transparent dhe në përputhje me Ligjin.

OShP shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë që ndihen të disfavorizuar gjatë proceseve të prokurimit, si dhe siguron zbatimin e standardeve të larta etike dhe ligjore nga ana e Autoriteteve Kontraktuese.

Një tjetër çështje të rëndësishme që trajton OShP, janë kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese për diskualifikim të Operatorëve Ekonomik nga pjesëmarrja në prokurimin publik.

Kjo ndodh në raste kur Operatorët Ekonomikë shkelin rregullat e prokurimit ose nuk i përmbushin kërkesat specifike të Autoriteteve Kontraktuese. Andaj, fokus i këtij hulumtimi është trajtimi i këtyre kërkesave nga OShP.

Diskualifikimi i Operatorëve Ekonomikë dhe vendosja e tyre në listën e zezë është një masë esenciale për të mbrojtur integritetin e sistemit të prokurimit dhe për të garantuar që vetëm operatorë të kualifikuar dhe të besueshëm mund të marrin pjesë në prokurim.

Tutje, në Nenin 99 të Ligjit të LPP-së, parashihet që në bazë të një kërkese me shkrim nga Autoriteti Kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga Operatori Ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një vit.

Kërkesat e autoriteteve nuk publikohen, s’ka hapësirë faqja zyrtare

OShP posedon faqen zyrtare [https://oshp.rks-gov.net] në të cilën publikohen Njoftime, Ankesa, Vendime dhe të dhëna tjera. Mirëpo OShP nuk i publikon kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese sikurse i publikon dokumentet tjera. Por a është i obliguar me Ligj publikimi i tyre?

Në përgjigjen me shkrim OShP ka thënë se kërkesat e tyre publikohen me vendim.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit ju njofton se të gjitha kërkesat e autoriteteve kontraktuese për marrjen e masave sipas nenit 99.2 te LPP-se, janë të publikuara në secilin vendim që Paneli Shqyrtues ka nxjerr për kërkesat e autoriteteve kontraktuese”- ka thënë OShP.

OShP arsyetohet se kjo mënyrë e publikimit të kërkesave të autoriteteve kontraktuese dhe përgjigjeve të operatorëve ekonomikë, ju është imponuar për faktin se në menynë e listës së zezë [ueb faqe] nuk ka hapësirë për t’i ngarkuar, dy apo më shumë dokumente. Pra, mund të ngarkohet [atach] vetëm një dokument.

Për këtë çështje, KALLXO.com ju drejtua me pyetje edhe komisionit kompetent për interpretimin e ligjit të LPP-së në vend, Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik [KRPP], dhe mori këtë përgjigje: “Sipas nenit 87 të LPP-së nuk është në funksion të KRPP-së t’i interpretojë rastet të cilat janë shqyrtuar ose janë në shqyrtim në OSHP dhe /ose vendimet e OSHP-së”.

KRPP ka thënë se paragrafi 1 i Nenit 98 të LPP-së përcakton: “OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj”.

Në përputhje me Nenin 87, paragrafin 2, nën paragrafin 2.8 të LPP-së, në funksion të KRPP-së është “ t’u japë ndihmë teknike dhe këshilla Autoriteteve Kontraktuese dhe Operatorëve Ekonomikë për zbatimin dhe interpretimin e dispozitave të këtij ligji si dhe për të çdo dokument që nxirret nga KRPP”.

Sa i përket publikimit në faqen zyrtare të kërkesave nga Autoritetet Kontraktuese, KRPP ka thënë se kjo çështje nuk është e rregulluar me dispozitat e legjislacionit për prokurimin publik.

Ndryshe nga ajo që ka thënë OShP dhe KRPP, për rritje të transparencës dhe për t’i mundësuar palëve të treta [Organizatat e Shoqërisë Civile, Mediat, Publiku, etj.] monitorim më të mirë, do të ishte më se e  dobishme që OShP të gjejë mundësi teknike të publikoj edhe kërkesat për diskualifikim, gjithnjë duke respektuar sekretet afariste apo informacione sensitive të mbrojtura me Ligj.

Kjo mund të kërkohet më pas edhe nëpërmjet ndryshimeve ligjore ose udhëzimeve administrative nga KRPP ose Kuvendi i Kosovës.

Mbi një vit pritje, shqyrtimi i kërkesës nga OShP

Kallxo.com ka evidentuar dhe analizuar 15 raste ku OShP i dha të drejtë dhe aprovoi kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese, me pretendimet që operatorët ekonomikë paraqiten të dhënave të rreme ose dokument të falsifikuar dhe pretendime tjera.

Rastet kanë të bëjnë me tenderët e natyrës së furnizimeve me grurë, barna, uniformave të Policisë, pastaj shërbime të transportit, të mirëmbajtjes, të hotelerisë, etj, të institucioneve si: Ministri, Komuna, Institucione të Pavarura, Spitale e Ndërmarrje Publike.

Këto kërkesa nga Autoritetet Kontraktuese ishin parashtruar në periudhën nga muaji Prill deri në muajin Dhjetor të vitit 2024.

Bazuar në 15 rastet e analizuara, periudha mesatare e trajtimit të kërkesave nga OShP  rezulton të jetë 187 ditë, pra nga momenti kur kërkesa e AK është deponuar në OShP deri tek nxjerrja e vendimit nga ana e këtij organi.

Rasti më ekstrem është i Policisë së Kosovës, kur kërkesa për diskualifikim u dorëzua me 04.04.2024 dhe OShP mori vendim më datë 10.04.2025, që i bie se OShP-së ju desh më shumë se një vit [371 ditë] për të nxjerr një epilog.

Nga kjo tabelë vërehet se në rastin më të mirë sa i përket kohë së pritjes deri në marrje të vendimit, ishte 84 ditë [kërkesa e parashtruar nga Dogana e Kosovës ishte më 10.12.2024 dhe vendimi u mor me 04.03.2025].

Lidhur përzgjedhjen nga OSHP të kërkesave të pranuara nga Autoritetet Kontraktuese për diskualifikim nga pjesëmarrja në aktivitete të prokurimit publik të një Operatori Ekonomikë, ky organ ka thënë se bëhet sipas radhës.

“OSHP ju sqaron se radha apo përzgjedhja e trajtimit te kërkesave të autoriteteve kontraktuese për aplikimin e masave eventuale ndaj operatorëve ekonomikë, bëhet sipas radhës apo konkretisht sipas numrit rendor të protokolit”- ka thënë  OShP.

Ndërsa për vendimmarrjen për një kërkesë të autoritetit kontraktues, OSHP informon se në dispozitat e nenit 99 te LPP-së dhe në asnjë dispozitë tjetër nuk ka një afat të caktuar për nxjerrjen [marrjen] e vendimit.

Në sqarimin e saj OShP tregon se kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese kanë të bëjnë kryesisht me falsifikimin e dokumenteve, mos dorëzimin e kërkesave të përshtatshmërisë, shkëputjen e kontratave, etj.

“Në veçanti OSHP, ju informon se rastet që kanë të bëjnë me falsifikim marrin kohë më të gjatë për shkak se edhe me të drejtat të cilat burojnë nga neni 99 i LPP-se OSHP, nuk ka shumë kompetenca që të hetoj një falsifikim të pretenduar. Ne disa raste OSHP-se i është dashur të pres me muaj që të merr një konfirmim nga lëshuesi i certifikatës/dokumentit (ku pretendohet se është falsifikuar), po ashtu ka raste që paralelisht me kërkesën për marrjen e masave sipas nenit 99 te LPP-se, që autoritetet kontaktues e dorëzojnë në OSHP, autoritetet kontaktuese i njoftojnë edhe organët e hetuesisë lidhur me pretendim se është falsifikuar një dokument dhe OSHP, në keto raste është detyruar të pres rezultatin e hetimit të nxjerr nga organi kompetent”- thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Andaj, duke u bazuar ne sqarimin e dhënë OSHP njofton se ne rastet kur pretendohet se nuk janë dorëzuar kërkesat e përshtatshmrise nga një operatore ekonomik [Vërtetimi i ATK-se dhe Vërtetimi i Gjykatës] këto kërkesa trajtohen dhe përfundohen shumë më shpejt se ato që kemi të bëjmë me faksifikim të dokumenteve.

Deri në dymbëdhjetë muaj në Listë të Zezë 

Nga vendimet e nxjerra ndaj 15 kërkesave të Autoriteteve Kontraktuese, vetëm dy Operatorëve Ekonomikë ju hoq e drejta e pjesëmarrjes në prokurimin publik në kohëzgjatje maksimale, deri në 1 vit, me arsyetimin se kanë mashtruar me dëshmitë e dorëzuar.

Me të njëjtën arsye dhe tërheqje nga aktiviteti i prokurimit publik, 3 Operatorë Ekonomikë u vendosën në listë të zezë duke ju pamundësuar kështu pjesëmarrja në prokurimin publik, në kohëzgjatje deri në 6 muaj.

Ndërsa 10 operatorë të tjerë, u futën në listë të zezë për 3 muaj. Arsyeshmëria e vendimit për to ishte si: mashtrim me dëshmitë të dorëzuar, mosparaqitje për nënshkrim të kontratës, tërheqje nga aktiviteti i prokurimit.

Një tjetër element shqetësues është përsëritja e rastit, kur për një operator ekonomik paraqiten 3 kërkesa [Lipjan, Skenderaj dhe Dragash]. A ishte vonesa në vendimmarrje arsye që OE ndaj të cilit është parashtruar kërkesa, ka vazhduar me shkeljet [sipas Vendimeve të OShP-së]?

OShP ka thënë se pas pranimit të kërkesës, Operatori Ekonomik u njoftua për inicimin e kërkesës për diskualifikim.

“Lidhur me këtë pyetje OSHP, ju informon fillimisht se për operatorin ekonomik të cilën edhe ju jeni ne dijeni, OSHP kërkesën e parë për marrjen e masave sipas nenit 99 te LPP-se e ka pranuar me datën: 12.09.2024 dhe OSHP proceduralisht menjëherë pas pranimit të kërkesës se autoritetit kontraktues, (në të njëjten datë) e ka njoftuar operatorin ekonomik me e-mail se një autoritet kontraktues ka dorëzuar një kërkesë për marrjen e masave sipas nenit 99 te LPP-se, dhe qëllimi i këtij informimi është që edhe operatori ekonomik ti jep faktet dhe argumentet e veta lidhur me atë kërkesës të autoritetit kontraktues, përgjigje kjo e cila po ashtu publikohet ne ëeb faqe te OSHP-së përmes vendimit të panelit shqyrtues sikurse edhe kërkesa e autoritetit kontraktues”- thuhet në përgjigjen e OShP-së.

OSHP më tej tregon se ka pranuar edhe kërkesën e dytë dhe të tretë kundër këtij operatori ekonomik dhe e fundit ka qenë më datën: 13.11.2024.

“Duke u bazuar në sqarimin e dhënë më lartë, sqarojmë se ky operator ekonomik me qëllim dhe me vetëdije vepron në ata mënyrë sepse siç ju sqaruam më lart, ka qenë i njoftuar lidhur me kërkesën e AK-se më datën: 12.09.2024. Prandaj nuk mund të konstatohet se vonesat në vendimmarrjen për kërkesat e autoriteteve kontraktuese kanë ndikuar në veprimet e ketij operatori ekonomik”, ka thënë OShP.

Zvarritjet në vendimmarrje nga OShP, jo vetëm se e minojnë besimin në proceset e prokurimit publik, por edhe mund të kenë ndikim negative në efikasitetin e projekteve publike, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për shërbime esenciale si mirëmbajtja e pajisjeve të hemodializës dhe transporti personave të moshuar, duke mos e anashkaluar për nga rëndësia edhe furnizimin ne grurë për rezervat shtetërore. /Kallxo.com/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Vendoset gurthemeli i kompleksit luksoz “Porta Rai” në Ulqin, projekt që e pozicionon Malin e Zi si një destinacion premium dhe që sjell 800 vende të reja pune

Vendoset gurthemeli i kompleksit luksoz “Porta Rai” në Ulqin, projekt që e pozicionon Malin e Zi si një destinacion premium dhe që sjell 800 vende të reja pune

Ekonomi
15,000 € për idenë më të mirë inovative për Bujqësi të Mençur ndaj ndryshimeve klimatike

15,000 € për idenë më të mirë inovative për Bujqësi të Mençur ndaj ndryshimeve klimatike

Ekonomi
“Wolt Kosovë & Shqipëri: Si po ndryshojmë jetën e përditshme dhe forcojmë ekonomitë lokale?”-  Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Wolt për këto dy shtete, Lisandri Dragoj

“Wolt Kosovë & Shqipëri: Si po ndryshojmë jetën e përditshme dhe forcojmë ekonomitë lokale?”-  Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Wolt për këto dy shtete, Lisandri Dragoj

Ekonomi
Mbi 700 entuziastë të kriptos festojnë suksesin e madh të rritjes dhe potencialin e Kosovës si “hub” rajonal

Mbi 700 entuziastë të kriptos festojnë suksesin e madh të rritjes dhe potencialin e Kosovës si “hub” rajonal

Ekonomi
Vipa Chips merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar

Vipa Chips merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar "Prishtina 2025", zbulon dy produkte të reja

Ekonomi
KEK sqaron rolin e saj si Furnizues i Mundësisë së Fundit për bizneset

KEK sqaron rolin e saj si Furnizues i Mundësisë së Fundit për bizneset

Ekonomi
Kalo në kategori
OSZAR »